Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, me konsensus emëroi zëvendëskryesues deputetët Arian Tahiri dhe Artan Asllani.
Pas diskutimeve, komisioni mori vendim për publikimin e thirrjes publike për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 26 shkurt 2026, në kohëzgjatje prej 20 ditësh nga dita e shpalljes.
Kryetarja Albulena Haxhiu tha se gjatë përzgjedhjes do të respektohet parimi i barazisë gjinore dhe komisioni e Kuvendi do t’u japin përparësi kandidateve gra.
“Procesi i përzgjedhjes së dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese do të jetë plotësisht transparent dhe profesional. I inkurajoj gratë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për vendin”, theksoi kryetarja Haxhiu.


