Katërshja e UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot kanë thënë fjalët e fundit para trupit gjykues.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, u deklarua pas Hashim Thaçit e Kadri Veselit me një fjalim të fuqishëm ndaj kësaj gjykate.
I bindur se akuzat ndaj tij dhe shokëve në Hagë janë të pabazuara dhe të padrejta, Selimi tha se shpreson se ky gjykim mund të shërbejë si një mundësi “për drejtësi”.
“Nuk jam këtu për ta mbrojtur veten, sepse këtë gjë e bëjnë avokatët e mi, por ju duhet ta ushtroni drejtësinë. Prokuroria po mbështetet në pretendime që nuk kanë bazë dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për ta njollosur luftën”, u shpreh Selimi.
Rexhep Selimi tha se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi.
Para trupit gjykues, ish-kreu i UÇK-së u shpreh se historinë e vendit e kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët e saj, luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e atdheut.
“Të përpiqesh të ndërhysh me qëllim në ndryshimin e fakteve historike përmes akuzave, është të përpiqesh ta rishkruash historinë, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet e aq më tepër në një sallë gjyqi”, tha Selimi.


