Skuadra e Ferizajt sot u mposht në Hajvali nga Prishtina e Re me rezultatin 1:0, në një ndeshje që pati shumë reagime, polemika e zhvillime.
Trajneri i Ferizajt, Nevil Dede u përjashtua me karton të kuq (i dyti i verdhë), e gjatë atij momenti, tekniku shqiptar e nxori pasaportën shqiptare, duke ia drejtuar kamerës së transmetimit.
Në një prononcim ekskluziv për ‘GazetaBlic Sport’, Nevil Dede tha se sipas tij, lojtarët e Prishtinës së Re duhej të ndëshkoheshin tri herë me të verdhë dhe një herë me të kuq, por kjo nuk ndodhi, e gjithashtu ai shpjegoi pse e zbuloi pasaportën shqiptare gjatë ballafaqimit.
“Sot, në ndeshjen kundër Prishtina e Re, reagimi im ishte emocional. Në tri situata të qarta, sipas vlerësimit tim teknik, kundërshtari duhej të ndëshkohej me karton të verdhë dhe në një rast me të kuq. Plus perspektiva e shume aksioneve premtuese per ne. Kur kjo nuk ndodhi, ndjeva se trajtimi ndaj ekipit tim ishte i pabarabartë. Nxjerrja e pasaportës dhe deklarata ‘jam shqiptar’ ishte një reagim spontan, i lindur nga ndjenja se vendimet po na penalizonin në mënyrë të padrejtë. Nuk ishte një akt përçarës, as provokim politik. Ishte një reagim i një trajneri që ndjeu padrejtësi”, tha fillimisht Nevil Dede për ‘GazetaBlic Sport’.
Më pas, Dede thotë se dëshiron barazi dhe nëse ka tendenca, atëherë ato duhen hetuar, e jo injoruar.
“Megjithatë, nëse forma e reagimit tim ka shkelur rregulloren apo është interpretuar si e papërshtatshme, e pranoj përgjegjësinë për mënyrën se si reagova. Emocioni i ndeshjes nuk duhet të tejkalojë kornizën disiplinore. Por dua të jem shumë i qartë: Si trajner FC Ferizaj kërkoj vetëm barazi dhe drejtësi sportive. Nëse ka elementë që perceptohen si diskriminues apo tendenciozë, ato duhet të hetohen institucionalisht, POR jo të injorohen”, vazhdoi trajneri.
Në fund, Dede tha se fusha nuk kishte vijëzim të qartë të zonës teknike, andaj u krijua paqartësi dhe kjo çoi edhe tek kartoni i kuq, teksa pranoi reagimin emocional dhe shprehi respekt për komunitetin shqipfolës.
“Sa i përket kartonit të dytë për pozicionimin tim, dua të theksoj se fusha nuk kishte vijëzim të qartë të zonës teknike, çka krijoi paqartësi mbi kufizimin hapësinor. Nuk pati mosbindje me qëllim, por situatë të paqartë në organizim.
Si perfundim: “pranoj që reagimi ishte emocional”, “theksoj respekt për institucionin”, “kërkoj sqarim procedural (mungesa e vijëzimit të zonës teknike)”. Me respekt maksimal per te gjithe komunitetin shqipfolës”, tha Nevil Dede.
/GazetaBlic Sport


