Kuvendi i Kosovë dje ka miratuar ‘Rezolutën për Hagën’, me 90 vota për, 1 kundër.
Kjo Rezolutë nuk u votua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me arsyetimin nga mos-përfshirja e amendamentit të tyre për zbardhjen e vrasjeve politike.
Në lidhje me mos-votimin e LDK-së për këtë Rezolutë ka folur për “Gazeta Blic” drejtori i organizatës ‘Demokracia Fillon Këtu’, Shemsi Jashari.
Jashari tha se LDK e arsyetoi mosvotimin e Rezolutës duke kërkuar shtimin e një pike për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës dhe se aty nis një kontraditë e madhe politike.
Sipas tij, LDK-ja, për vite me radhë ka udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe s’e nuk ka patur asnjë zbardhje të ngjarjeve.
“LDK e arsyetoi mosvotimin e Rezolutës duke kërkuar shtimin e një pike për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës. Zbardhja e tyre është detyrim shtetëror dhe kërkesë legjitime e drejtësisë, por këtu nis edhe kontradikta e madhe politike.LDK për vite me radhë ka udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ka pasur pushtetin institucional, mekanizmat dhe kompetencat për të shtyrë përpara hetimet. Rezultati? Asnjë zbardhje përfundimtare. Asnjë përgjegjësi e vendosur nga institucionet që vetë i ka drejtuar. Sot, e njëjta temë rikthehet si kusht politik, pikërisht kur duhet të merret një qëndrim për standardet e gjykimit të drejtë” deklaroi Jashari.
Jashari theksoi se nëse do të kishte vullnet real për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, LDK, do të propozonte një rezolutë të veçantë dhe një plan konkret veprimi.
Ai potencoi se ‘LDK-ja zgjodhi kalkulimin politik dhe s’e kjo do të ketë kosto’.
“LDK ka qenë gjithashtu pjesë e proceseve shtetërore që çuan në themelimin e Gjykatës Speciale. Por vet mandati i kësaj gjykate nuk përfshin periudhën kohore të vrasjeve të pasluftës për të cilat LDK flet sa herë ka nevojë për mobilizim elektoral. Pra, e përdor si argument politik aty ku juridikisht nuk lidhet me rezolutën në fjalë.Të drejtat procedurale dhe gjykimi i drejtë nuk duhet të kushtëzohen. Janë parim universal. Rezoluta nuk kërkonte pafajësi politike për askënd, kërkonte standarde, transparencë dhe proces të rregullt. Kjo votohet pa pazare dhe pa kushte, përveç nëse LDK-së, shkelja e të drejtave të liderëve në Hagë iu shkon për shtati për arsye politike.Nëse do të kishte vullnet real për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, LDK do të propozonte një rezolutë të veçantë dhe një plan konkret veprimi. Jo ta përdorte një plagë të rëndë si arsyetim për të mos votuar një akt tjetër”
“Tani kur kërkohej unitet rreth parimit të procesit të drejtë, LDK zgjodhi kalkulimin politik. Dhe kjo do të ketë kosto që nuk mbulohet me arsyetime procedurale” deklaroi Jashari në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
Kuvendi i Kosovës miraton ‘Rezolutën e Hagës’


