Lajme

Bangladeshi mban zgjedhjet historike pas kryengritjes studentore, elitat e vjetra dominojnë skenën politike

02/12/2026 08:10
nga:Y I

Bangladeshi voton të enjten në zgjedhjet e para që nga rrëzimi i udhëheqëses shumëvjeçare Sheikh Hasina, pas një lëvizjeje proteste të udhëhequr nga Gjenerata Z në verën e vitit 2024. Kryengritja, e nisur nga studentët, u pa nga dhjetëra miliona të rinj si një moment historik që mund të hapte një kapitull të ri për vendin.

Pamjet e Hasinës duke u larguar me helikopter, ndërsa protestuesit hynin në rezidencën e saj zyrtare, bënë jehonë ndërkombëtare dhe u kthyen në simbol të fuqisë së mobilizimit të të rinjve kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Lëvizje të ngjashme u panë më pas edhe në vende të tjera si Nepali dhe Madagaskari.

Shumë qytetarë mirëpritën fundin e 15 viteve të sundimit të Hasinës, të shoqëruara me akuza për manipulim zgjedhjesh, keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe shtypje të ashpër të kundërshtarëve.

“Revolucioni tregoi fuqinë e asaj që mund të arrijë Gjenerata Z”, tha për CNN Mirza Shakil, një student që mori pjesë në protesta. Megjithatë, dy kandidatët favoritë për të udhëhequr vendin në epokën pas Hasinës nuk përfaqësojnë brezin që doli në rrugë.

Njëri është një 60-vjeçar, pasardhës i një dinastie politike që ka dominuar skenën për dekada. Tjetri është një udhëheqës islamist 67-vjeçar, partia e të cilit nuk ka paraqitur asnjë grua kandidate.

“Ne ëndërronim për një vend ku të gjithë, pavarësisht gjinisë, racës apo fesë, do të kishin mundësi të barabarta”, tha për Reuters një tjetër ish-protestues, Sadman Mujtaba Rafid. “Prisnim reforma dhe ndryshime politike, por jemi shumë larg asaj që ëndërronim.”

Rënia e Hasinës nisi me protesta studentore kundër sistemit të kuotave në shërbimin civil. Reagimi i ashpër i qeverisë, që sipas vlerësimeve të OKB-së çoi në rreth 1,400 të vrarë, vetëm sa e përshkallëzoi krizën. Kur ushtria deklaroi se nuk do të qëllonte mbi protestuesit, fundi i sundimit të saj u bë i pashmangshëm.

Në gusht 2024, protestuesit hynë në rezidencën e saj, duke e detyruar Hasinën të largohej drejt Indisë. Në nëntor, një gjykatë në Daka e dënoi me vdekje në mungesë për rolin e saj në trazira, ndërsa ajo i ka mohuar akuzat. Partia e saj, Lidhja Awami, është ndaluar të marrë pjesë në zgjedhje.

Mungesa e saj ka favorizuar Partinë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP). Udhëheqësi i saj, Tarique Rahman, djali i ish-kryeministres Khaleda Zia dhe rivales historike të Hasinës, është rikthyer në vend pas 17 vitesh në mërgim dhe konsiderohet favorit.

Një rikthim po përjeton edhe Jamaat-e-Islami, partia më e madhe islamiste, e cila ishte shtypur gjatë qeverisjes së Hasinës.

Ndërkohë, Partia Kombëtare Qytetare (NCP), e krijuar nga studentët pas kryengritjes, ka hasur vështirësi për të depërtuar në një skenë politike të polarizuar dhe shpesh të dhunshme. Në fund të dhjetorit, ajo njoftoi një aleancë me Jamaat-e-Islami, një vendim që ka shkaktuar reagime.

Sipas Naomi Hossain, profesoreshë në Universitetin SOAS të Londrës, aleanca lidhet pjesërisht me nevojën për mbrojtje në një klimë politike të tensionuar. Statusi parlamentar, tha ajo, ofron një lloj sigurie përballë rreziqeve të mundshme.

Ndërkohë, përplasjet e dhunshme dhe sulmet ndaj kandidatëve dhe pakicave fetare kanë rritur tensionet. Qeveria e përkohshme, e drejtuar nga laureati i Nobelit Muhammad Yunus, është kritikuar për dështim në garantimin e rendit dhe ligjit.

Pavarësisht zhgënjimit të disa prej ish-protestuesve, votimi i së enjtes përshkruhet nga shumë si zgjedhjet e para të lira dhe të ndershme në më shumë se një dekadë. Në rrugët e Dakës mbizotëron një atmosferë pritjeje.

“Zgjedhjet mund të sjellin diçka të re”, tha Shakil. “Jemi të emocionuar.”