Policia e Shtetitka marrë masat për garantimin e mbarëvajtjes së protestës kombëtare të thirrur nga opozita në Shqipëri, e cila do të zhvillohet këtë të martë, më 10 shkurt, në orën 17:00, para kryeministrisë.
Siç raporton Euronews duke iu referuar burimeve, është parashikuar që mbi 1.000 efektivë të jenë në terren dhe në gatishmëri ndërsa përveç forcave të rendit, Forcave Kombëtare të Sigurisë dhe RENEA-s, do të ketë edhe agjentë civilë.
Duke nisur nga ora 00:00 është bllokuar parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Nga ora 15:00 deri në përfundim të protestës, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit përmes rrugëve alternative.
Policia u bën apel qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Në protestën e 24 janarit u arrestuan 18 persona, u proceduan penalisht 17 të tjerë dhe u shpallën në kërkim dy protestues. Gjithashtu, u dëmtuan 11 punonjës policie të cilët morën mjekim në spital. Po ashtu, u procedua penalisht sekretari organizativ i Partisë Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.


