Lajme

”Keqinterpretim” – Halimi: Prokuroria nuk ka kërkuar nga 45 vjet për secilin, por 45 vjet gjithsej për katër krerët e UÇK-së

02/09/2026 22:46
nga:G B

Avokati Mahmut Halimi ka thënë se kërkesa e Prokurorisë Speciale sot ndaj Gjykatës me seli në Hagë ka qenë për dënim prej 45 vitesh në total për katër krerët e UÇK-së, e jo nga 45 vjet për secilin veç e veç.

Sipas avokatit Halimi, kjo kërkesë është keqinterpretuar në publik.

“Ky lajm për dënim prej 45 vitesh është interpretuar në mënyrë jo të drejtë, për arsyen se Gjykata e Specializuar është e lidhur me kualifikimet juridike sipas Kodit Penal në kohën e kryerjes së veprave penale, që ka qenë Kodi Penal i Jugosllavisë në atë kohë,” ka thënë ai.

“Ishte habi edhe për mua kur e dëgjova përmes mediave një propozim të tillë dhe mu desh një kohë konsultimi edhe me literaturën, por edhe me njerëzit që kanë njohuri,” ka thënë Halimi, duke treguar se ishte konsultuar edhe me djalin e tij, i cili sipas tij është “njohës i mirë i gjuhës angleze”.

“Erdhëm në përfundim se ai dënim i propozuar është kumulativ, i paraparë për të gjithë, e jo nga 45 vjet për secilin,” ka theksuar ai.

“Në tërësi, 45 vjet është propozimi i Prokurorisë dhe, në bazë të përgjegjësive dhe shkallës së përgjegjësisë, gjykata e ka autoritetin ta vlerësojë se a do ta shqiptojë dhe çfarë dënimi do ta shqiptojë. Është shumë gabim i madh të thuash se nga 45 vjet për secilin ka propozuar Prokuroria, jo. Prokurori ka propozuar për të gjithë 45 vjet dhe ato pastaj ndahen në gjykatë,” ka thënë avokati Halimi.