Të hënën ose të martën e javës që vjen, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të thërras mbledhjen e radhës për t’i dhënë fund procesit zgjedhor të 28 dhjetorit.
Gazeta Express mëson nga burime brenda KQZ-së se procesi zgjedhor është në fazën e fundit të vendosjes së ankesave dhe pasi që Gjykata Supreme të vendosë lidhur me 6 ankesat e paraqitura, do të hapet rruga për certifikim të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Për këtë çështje ka folur edhe Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili nuk ka dhënë ndonjë afat se kur do të bëhet certifikimi i rezultateve. Ai vetëm ka thënë se janë në pritje të shqyrtimit të ankesave.
“Aktualisht, procesi zgjedhor ndodhet në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e PZAP-it në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e ankesave ka përfunduar një ditë më herët. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë derisa vendimet të bëhen të plotfuqishme dhe më pas do të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, ka thënë Elezi.


