Lajme

Nesër protestohet para KEDS e Qeverisë kundër shtrenjtimit të rrymës

02/05/2026 23:51
nga:Lorik J

Nesër do mbahet protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”.

Protesta do të zhvillohet në ora 13:00 para KEDS, duke përfunduar para Qeverisë së Kosovës.

Kjo protestë vjen si përgjigje ndaj paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, një vendim që ka shkaktuar shqetësim të madh në mesin e qytetarëve.

Në njoftimin e tyre për media, organizatorët kritikojnë rritjet e vazhdueshme të faturave të energjisë elektrike që nga viti 2022, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të dëmshme për qytetarët.

Sipas tyre, KEDS-i ka kërkuar rritje të vazhdueshme të çmimeve, të cilat janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), në kurriz të mirëqenies së qytetarëve.