Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka vlerësuar përkushtimin e Ibrahima Konates ndaj klubit, pasi mbrojtësi u kthye më herët nga leja për arsye familjare pas vdekjes së babait të tij, për të ndihmuar skuadrën angleze në mes të një krize në repartin defensiv.
Qendërmbrojtësi francez kishte munguar në tri ndeshjet e fundit të Liverpoolit, por e shkurtoi mungesën e planifikuar sapo pa përmasat e problemeve të ekipit, me katër mbrojtës jashtë loje, përfshirë Joe Gomez.
Ishte një rikthim emocional dhe i paharrueshëm për Konaten, i cili shënoi golin e katërt në fitoren me përmbysje 4-1 ndaj Newcastle United të shtunën, teksa kampionët regjistruan fitoren e parë në Premier League pas më shumë se një muaji.
“Ka pasur dy javë shumë të vështira. Ai kishte planifikuar të kthehej në fund të kësaj jave dhe kjo do të thoshte se nuk do të mund të luante në këtë ndeshje,” tha Slot.
“Por kur pa problemet që kishim në mbrojtje, më telefonoi në fillim të javës dhe më tha: ‘Dua të kthehem për ta ndihmuar ekipin kundër Newcastle’.
“U kthye të mërkurën dhe u stërvit dy herë me ne. Jo vetëm që shënoi gol, por zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer dhe tifozët e vlerësuan shumë gjatë gjithë lojës, veçanërisht në fund kur shënoi.”
Pas golit, Konate u rrethua nga bashkëlojtarët – përfshirë portierin Alisson, i cili vrapoi nga njëri skaj i fushës në tjetrin për të festuar me të – ndërsa francezi fshinte lotët dhe publiku në “Anfield” e shpërbleu me një duartrokitje të fuqishme në këmbë.
“Nuk kam fjalë për të përshkruar atë që ndiej tani, sepse këto dy javë kanë qenë shumë të vështira për mua dhe familjen time, por kjo është pjesë e jetës. Është e vështirë ta pranosh dhe nuk kemi zgjedhje,” tha Konate për TNT Sports.
“E di që skuadra kishte disa lojtarë të dëmtuar. Trajneri më tha në telefon që të merrja kohën time dhe se nuk kisha nevojë të nxitoja për t’u kthyer. Në këtë situatë, për mua ishte e rëndësishme të kthehesha dhe ta ndihmoja ekipin.”
Goli i Konates erdhi pasi Hugo Ekitike shënoi dy herë para pushimit, ndërsa Florian Wirtz gjithashtu u fut në listën e golashënuesve, për fitoren e parë të Liverpoolit pas gjashtë ndeshjesh në Premier League.
“Të gjithë po brohorisnin për Ibou dhe Florianin kur u kthyen pas intervistave televizive, por veçanërisht për Iboun,” shtoi Slot.
“Kjo skuadër ka treguar se jemi gjithmonë pranë njëri-tjetrit në rrethana të vështira. Kështu kanë qenë edhe për të në ditët e fundit.”
Me këtë fitore, Liverpool u ngjit përkohësisht në vendin e pestë në renditje, një pikë mbi Manchester United, që të dielën pret Fulhamin.


