Lajme

Lladrovci falënderon mikpritësit në Izrael: Miqtë e ditëve të vështira nuk harrohen

01/30/2026 20:07
nga:Sh R

Pas qëndrimit pesëditor në Izrael, në vizitën zyrtare, Kryetari i Komunës së Drenasit i ka falënderuar ata duke thënë se “miqtë e ditëve të vështira nuk harrohen”.

Postimi i plotë:

Falënderim për mikpritjen gjatë vizitës zyrtare në Izrael!

Kam qenë i privilegjuar të jem mysafir gjatë pesë ditëve në Izrael, në institucionet qendrore e lokale, duke takuar dhjetëra ish drejtues dhe drejtues të lartë aktualë të shtetit, ish kryeparlamentar, ish deputetë e deputetë, ish ministra e ministra të tashëm, ushtarak aktivë dhe në pension, ish ambasadorë e ambasadorë, në shtetin i cili na u gjend pranë në ditët më të rënda kur qenia jonë biologjike ishte e rrezikuar.

Gjatë këtyre ditëve, mora pjesë në mbledhjen solemne të Knesset-it, takova bartës të përgjegjësive institucionale të shtetit i cili është mirënjohës ndaj kombit tonë, për kohën kur populli izraelit ishte po ashtu i rrezikuar dhe përndjekur, të kanosur nga zhdukja. Mora mirënjohje për besën, këtë vlerë morale të pandashme nga kombi ynë.

Takova miq të cilët ishin vënë plotësisht në anën tonë gjatë luftës çlirimtare, takova homologë dhe vizitova kompani me vlerë globale, të cilat i ftova të investojnë në komunën tonë.

Gjatë pranverës pres vizita kthyese të mikpritësve të mi, për konkretizimin e ideve me interes të përbashkët, për përfshirjen e të rinjve tanë inovativë, nga teknologjia informative dhe fushat tjera, me qëllim të ndaljes së shpërnguljes dhe krijimin e kushteve për punë, për jetë dhe investime në Drenas.

Faleminderit, miqtë e ditëve të vështira nuk harrohen.

Sa i takon debateve të disa keqbërësve sot në Asamblenë komunale, ju them se mund të flasin për punën time vetëm pasi të mbathin këpucët e mia dyzetepesëvjeçare në shërbim ndaj qytetarëve të mi, Kosovës dhe kombit!