Lajme

Aeroporti i Prishtinës me rekord të ri, mbi 4.6 milionë udhëtarë gjatë 2025’s dhe rreth 30 mijë fluturime

01/28/2026 15:32
nga:Sh R

Viti që shkopi, ai i 2025, ka parë rritje të të numrit të udhëtarëve dhe fluturimeve në aeroportin ndërkombëtar ‘’Adem Jashari’’ të Prishtinës.

Në bazë të të dhënave, numri i udhëtarëve është rritur për 12 për qind, krahasuar me numrin e udhëtarëve përgjatë vitit 2024.

Nga rreth 4.1 milionë udhëtarë sa ishin në 2024, vitin e kaluar numri i tyre u rrit në rreth 4.6 milionë udhëtarë.

Edhe numri i fluturimeve ka qenë më i madh vitin e kaluar krahasuar me atë të 2024, për 10%.

Përderisa në 2024 pati 27.036 fluturime, vitin e kaluar pati 29.962 fluturime.

Përveç rritjes së trafikut ajror, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka vazhduar investimet në përmirësimin e shërbimeve për pasagjerët. Tash e një vit janë funksionale pajisjet e vetë-regjistrimit (self check-in), të cilat u mundësojnë udhëtarëve që procesin e regjistrimit për fluturim ta përfundojnë brenda pak minutave.

Përmes këtyre pajisjeve, pasagjerët mund të skanojnë dokumentet e udhëtimit, të përzgjedhin opsionet e dëshiruara dhe të printojnë kartën e imbarkimit, pa pasur nevojë të presin në radhë në sportelet tradicionale.