Izraeli nuk do të lejojë rindërtimin e Rripit të Gazës para se të çarmatoset, tha kryeministri Benjamin Netanyahu.
Komentet e tij erdhën gjatë një konference për media në zyrën e tij në Kudsin Perëndimor një ditë pas njoftimit për gjetjen e eshtrave të kryerreshterit Ran Gvili, i fundit nga 251 pengjet e marra në Gaza më 7 tetor 2023 nga grupi palestinez Hamas dhe aleatët e tij.
Netanyahu e ka përdorur prej kohësh këtë çështje si justifikim për moszbatimin e fazës së dytë të planit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për enklavën palestineze, shkruan Anadolu.
Të hënën, ushtria izraelite gjeti eshtrat e Gvilit pasi ekzaminoi 250 trupa në një varrezë në Gazën veriore.
“Tani jemi të përqendruar në arritjen e dy objektivave të mbetura së bashku: çarmatosjen e Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës. Ka vetëm dy mundësi, rruga e lehtë ose rruga e vështirë dhe ne nuk do të lejojmë rindërtimin e Gazës para se të çarmatoset”, tha Netanyahu.
Për rihapjen e pikës kufitare të Rafah-ut, ai tha: “Ne ramë dakord ta hapim pikën kufitare vetëm për individë dhe në numër të kufizuar dhe kushdo që hyn ose del do t’i nënshtrohet inspektimit izraelit”.
Mes spekulimeve se SHBA-ja mund të nisë sulm ndaj Iranit, gjë që mund të shkaktojë hakmarrje, Netanyahu tha: “Nëse Irani bën gabim të rëndë dhe sulmon Izraelin, ne do të përgjigjemi me një forcë që nuk e ka parë kurrë më parë”.
Netanyahu anuloi të martën një takim informues për sigurinë me udhëheqësin e opozitës Yair Lapid mbi Iranin dhe Gazën, duke përmendur axhendën e tij të ngjeshur, sipas mediave izraelite.
Për mbajtjen e zgjedhjeve sipas planit dhe miratimin e projektligjit të buxhetit mes një krize me hebrenjtë ultra-ortodoksë (Haredim), Netanyahu tha se “Kjo është ajo që shpresoj dhe për të cilën po punoj. Gjëja e fundit që i duhet Izraelit tani janë zgjedhjet”.
Partitë Haredi në Knessetin (Parlamentin) e Izraelit kanë refuzuar të votojnë për projektligjin e buxhetit para miratimit të një ligji për rekrutimin ushtarak që përjashton anëtarët e komunitetit të tyre nga shërbimi ushtarak.
Nëse buxheti nuk miratohet deri në mars, Knesseti do të shpërbëhet dhe do të thirren zgjedhje të parakohshme.


