Lajme

Hamas kërkon të përfshijë policinë e saj në administratën e re të Gazës para bisedimeve për çarmatim

01/27/2026 16:36
nga:Sh R

Hamas po synon që të përfshijë rreth 10,000 policët e saj në një administratë të re palestineze të mbështetur nga SHBA-ja për Gaza, thanë burime diplomatike.

Kjo kërkesë pritet të përballet me kundërshtimin e Izraelit, ndërkohë që grupi militant po shqyrton nëse do të dorëzojë armatimin e tij.

Grupi islamist Hamas kontrollon pak më pak se gjysmën e Gazës pas marrëveshjes së armëpushimit të tetorit, e arritur me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump. Marrëveshja lidh largimin e mëtejshëm të trupave izraelite me dorëzimin e armëve nga Hamas.

Plani 20-pikësh për të dhënë fund luftës parashikon që qeverisja e Gazës t’i jepet Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), një organ teknik palestinez me mbikëqyrje amerikane, i cili synon të përjashtojë Hamas.

Në një letër të dërguar të dielën për stafin, qeveria e Hamas në Gaza u ka kërkuar mbi 40,000 punonjësve civilë dhe të sigurisë të bashkëpunojnë me NCAG, duke u siguruar se do të punojë për përfshirjen e tyre në administratën e re. Kjo përfshin edhe policinë e Hamas, thanë katër burime të njohura me situatën.

Ende nuk dihet nëse Izraeli do të pranojë përfshirjen e punonjësve civilë dhe të sigurisë të Hamas në NCAG. Zyra e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka dhënë koment, raporton Reuters.

Planet e Hamas për policinë dhe punonjësit e saj tregojnë hendek të madh me Izraelin dhe SHBA-në, ndërsa administrata e Trump po ecën me planin e saj për Gazën. Javën e kaluar, Trump organizoi një ceremoni për krijimin e “Bordit të Paqes”, një administratë kalimtare për të koordinuar rindërtimin dhe financimin e Gazës. Plani përjashton organizatat terroriste nga qeverisja.

Zëdhënësi i Hamas, Hazem Qassem, tha se grupi është i gatshëm t’i dorëzojë detyrat NCAG dhe kryetarit të saj, Ali Shaath, menjëherë. Ai theksoi se do të përfshihen punonjësit e kualifikuar dhe nuk do të humbasin të drejtat e punësuarve gjatë periudhës së kaluar.

Katër burime thanë se Hamas është i hapur që NCAG të ristrukturojë ministritë dhe disa punonjës t’i dërgojë në pension, duke shmangur kaosin që mund të krijojnë largimet masive.

Një çështje tjetër është nëse Sami Nasman, ish-gjenerali i Autoritetit Palestinez i caktuar për sigurinë nën NCAG, do të mund të veprojë efektivisht, tha një zyrtar palestinez. Nasman është nga Gaza, por ka shkuar në Bregun e pushtuar pas kur Hamas përjashtoi forcat e Autoritetit Palestinez në 2007.

Administrata e Trump kërkon çarmatimin e menjëhershëm të armëve të rënda dhe regjistrimin e armëve personale ndërsa policia e NCAG bëhet funksionale. Një zyrtar amerikan tha se luftëtarët e Hamas mund të përfitojnë amnisti.

Hamas ende besohet të ketë raketa dhe mijëra armë të lehta, ndërsa ka rënë dakord të diskutojë çarmatimin me fraksione të tjera palestineze dhe ndërmjetës.

Megjithatë, burimet e Reuters thanë se as SHBA dhe as ndërmjetësit nuk i kanë ofruar Hamas ndonjë propozim të detajuar ose konkret për çarmatimin.