Për shumë është burim i ujit, por kohëve të fundit Liqeni artificial i Badocit është mbushur me mbeturina, teksa afër pendës shihen shumë shishe e gjësende të tjera që pluskojnë mbi sipërfaqen e tij, shkruan REL.
Dhe, për shkak të turbullirës së ujit, që nga 13 janari autoritetet shëndetësore kanë këshilluar qytetarët që të mos e konsumojnë atë.

1. Kështu dukej Liqeni i Badocit më 17 janar 2026.

2. Mbeturina të shumta mund të shihen në brigjet e Liqenit të Badocit, por edhe në ujë, pranë pendës, që ka një lartësi prej 45 metrash.

3. Badoci është një nga pesë liqenet artificiale në Kosovë.

4. Shishe të shumta plastike shihen në një pjesë të Liqenit të Badocit. Nga ky vend furnizohet me ujë një pjesë e Prishtinës dhe e Graçanicës.

5. Më 13 janar, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës këshilloi qytetarët që të mos e përdornin për pije ujin nga Badoci. Njoftimi erdhi pasi reshjet e shiut shkaktuan turbullira në këtë burim uji.

6. Pamje të tilla nga Badoci janë parë edhe në të kaluarën. Grupe vullnetarësh e ambientalistë në vitet paraprake kanë ndërmarrë nisma për largimin e mbeturinave nga ky burim uji, që gjendet jo larg kryqendrës së Kosovës.

7. Në mesin e mbeturinave në brigjet e liqenit, shihet edhe një top i shfryrë e shishe uji.

8.Përveç ndotjes të shkaktuar nga njeriu, Badoci viteve të fundit është përballur edhe me një “ndotje” tjetër, të shkaktuar nga natyra: rritja e vlerave të manganit.

9. Për shkak të rritjes së vlerave të manganit, shpesh autoritetet kanë këshilluar qytetarët të mos pinë ujë nga Badoci. Mangani vlerësohet se është lëndë ushqyese dhe kontribuon në shumë funksione trupore. Por, kur vlerat janë të larta, ai bëhet i rrezikshëm për njeriun.

10. Liqeni i Badocit u ndërtua në vitet ’60 për furnizimin me ujë të pijshëm të Prishtinës./RadioEvropa e Lirë


