Lajme

Kurti në Davos, pjesë e panelit në Shtëpinë e SHBA-së

01/20/2026 09:53
nga:G B

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është ftuar për të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temë “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250” në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Davos të Zvicrës.

Në përgjigjet ndaj pyetjeve të adresuara në kuadër të panelit, Kurti shprehu se besimi shërben si shtyllë e shërbimit dhe unitetit, në etapa të ndryshme shoqërore dhe shtetërore.

“Kryeministri shtoi se optimizmi edhe për të ardhmen rrjedh nga përpjekjet dhe aktivizmi ynë i vazhdueshëm”, thuhet në një njoftim për media të zyrës së tij.

Bëhet e ditur se ky panel është pjesë e iniciativës së lansuar nga Forumi Ekonomik Botëror i quajtur “Komuniteti i Besimit në Veprim”, i cili synon të reflektojë mbi mënyrën se si udhëheqës anekënd botës mund të ndërtojnë partneritete inovative mbi mjedisin, ekonominë dhe teknologjinë, duke shqyrtuar mënyrat se si liderët mund të përshpejtojnë bashkëpunimin në aktualitetin shoqëror.