Qeveria sllovene vendosi të dërgojë dy oficerë të ushtrisë sllovene në Grenlandë.
Sipas raportimit të mediave në Slloveni, vendimi u mor sot në një mbledhje të qeverisë.
“Siç e kam theksuar vazhdimisht, Sllovenia vazhdimisht mbështet respektin për të drejtën ndërkombëtare në rregullimin e marrëdhënieve midis shteteve kudo në botë. Grenlanda i përket popullsisë së saj dhe çështjet e saj mund të vendosen vetëm nga Danimarka dhe Groenlanda”, shkroi kryeministri slloven Robert Golob në platformën X.
Sllovenia i bashkohet kështu vendimit të disa vendeve evropiane për të dërguar forcat e tyre në Grenlandë, një territor autonom i Danimarkës, të cilit Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i është referuar vazhdimisht me deklaratat e tij që nga fillimi i vitit.
Franca, Suedia, Gjermania, Norvegjia, Holanda, Finlanda dhe Mbretëria e Bashkuar aktualisht po dërgojnë trupat e tyre si pjesë e misionit të zbulimit ‘Arctic Resilience’, data e saktë e fillimit të të cilit nuk dihet ende.
Në kundërpërgjigje, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se do të vendosë tarifa prej 10% ndaj vendeve të NATO-s – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë – të cilat kanë dislokuar trupa në Grenlandë mes kërcënimeve të SHBA-së për të marrë kontrollin e ishullit Arktik.
Në një postim të gjatë në Truth Social, ai tha se “Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda kanë udhëtuar drejt Grenlandës për qëllime të panjohura”, duke shtuar: “Kjo është një situatë shumë e rrezikshme për sigurinë, mbrojtjen dhe mbijetesën e planetit tonë.”
Presidenti amerikan tha se tarifat prej 10% do të vendosen mbi të gjitha mallrat që këto vende eksportojnë në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga 1 shkurti, pasuar nga një normë prej 25% nga 1 qershori.


