Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportin e paaudituar të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Zgjedhjet Lokale 2025, të mbajtura më 12 tetor.
Sipas raportit për periudhën 9 qershor – 9 nëntor 2025, LDK ka realizuar të hyra totale prej 23 mijë e e 540 euro e 54 centë, nga të cilat 7 mijë e e 750 euro janë donacione dhe kontribute në të holla, ndërsa 15 e 790 euro janë kontribute në natyrë, në formë mallrash dhe shërbimesh. Të hyrat nga buxheti i shtetit apo nga anëtarësia nuk janë raportuar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Shpenzimet e fushatës kanë arritur në 203 mijë e 45 euro e 13 centë, duke rezultuar me një deficit prej 179 mijë e 505 euro e 13 centë.
Shpenzimet më të mëdha janë regjistruar për reklama, reprezentacion dhe konferenca, në vlerë 184 mijë e 582 euro e 45 centë, si dhe për kontributet në natyrë në mallra dhe shërbime, në vlerë 15 mijë e 790 euro. Shpenzime për paga nuk janë raportuar, ndërsa shpenzimet për transport kanë arritur 2 mijë e 672 euro e 68 centë.
Në fund të periudhës raportuese, LDK ka pasur 81 mijë e 206 euro e 56 centë para dhe ekuivalentë të parasë, ndërsa detyrimet totale kapin vlerën 182 mijë e 152 euro e 28 centë.
Raporti i publikuar nga KQZ përmban gjithashtu listën e donatorëve dhe kontributet e pranuara.


