Sporti

Jerzy Dudek: Klopp do të ishte perfekt për epokën aktuale të Real Madridit

01/14/2026 09:09
nga:Lorik J

Pak njerëz e prisnin që koha e Xabi Alonsos te Real Madridi të zgjaste kaq shkurt. Megjithatë, të hënën, skuadra e Real Madridit nuk la asnjë dyshim, duke njoftuar zyrtarisht se koha e tij ka mbaruar, duke e shkarkuar atë.

Pas humbjes nga Barcelona në finalen e Superkupës së Spanjës, madrilenët e shkarkuan Alonson dhe e emëruan Arbeloan në krye të ekipit, përcjell GazetaBlic Sport.

Ish portieri i Real Madridit, Jerzy Dudek tha për Goal.pl se drejtuesit e madrilenëve morën këtë vendim për të mobilizuar ekipin.

“Është e qartë se drejtuesit e Real Madridit kanë arritur në përfundimin se tani është koha më e mirë për të ndryshuar gjërat dhe për të mobilizuar ekipin përpara kohërave të vështira që na presin. Dhe përsëri, mendova se Xabi do të ishte ende personi përgjegjës për kapërcimin e kësaj situate”, tha fillimisht Dudek në një intervistë për Goal me gazetarin, Piotr Kozminski.

“Ai donte të qëndronte në këmbë dhe të mposhtte Barcelonën. E pashë Mbappen duke tundur krahët për të shmangur “Gardën e Nderit”, kjo tregoi qartë se nuk kishte më unitet atje. Dhe kur uniteti shpërbëhet, është gjëja më e keqe që mund të ndodhë në një ekip. Qoftë midis disa lojtarëve, qoftë midis lojtarëve dhe trajnerit”, vazhdoi ish portieri i njohur.

Në fund, Dudek tha se Klopp do ishte trajneri i duhur për Real Madridin.

“Mendoj se opsioni gjerman do të ishte një zgjedhje e mirë. Lojtarëve të Real Madridit u mungon disiplina. Individualisht, ata janë të shkëlqyer, por do t’u duhej pak disiplinë në fushë. Po mendoja për Low, por po mendoja edhe për Klopp. Klopp do të ishte perfekt për epokën aktuale të Real Madridit”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport