Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të edukatores e cila u raportua se është goditur me mjet të fortë në një institucion parashkollor në Pejë.
Sipas njoftimit zyrtar të Spitalit, pacientja është pranuar për trajtim mjekësor si pasojë e goditjes me mjete të forta.
Pas ekzaminimeve të nevojshme dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore, gjendja e saj është vlerësuar stabile, ndërsa e njëjta është liruar për trajtim të mëtutjeshëm, sipas rekomandimeve mjekësore.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 10:40, kur një nxënës dyshohet se e ka goditur edukatoren e tij me një shufër metalike, duke i shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë, edukatorja është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës për trajtim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, si dhe prokurori i shtetit, të cilët po hetojnë rrethanat e këtij incidenti.
Incident në një kopsht në Pejë, edukatorja sulmohet me shufër metalike nga nxënësi


