Në 11 komuna ka rifilluar procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili tregoi se për cilat komuna bëhet fjalë.
“Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat ka rifilluar procesi, u takojnë këtyre komunave: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj, dhe Suharekë”.
“Numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është mbi 2,009 nga 2,557 vendvotime apo më shumë se 78.57%”, tha Elezi.
Ai poashtu ka dhënë detaje për 27 komunat ku ka përfunduar procesi.
“27 komunat me 1,033 vendvotime, të cilat kanë përmbyllur aktivitetet deri të mërkurën (31 dhjetor 2025, ora 12:00), janë: Mamushë (6), Shtërpcë (17), Junik (6), Hani i Elezit (11), Kllokot (8), Partesh (7), Mitrovicë e Veriut (22), Novobërdë (23), Zveçan (11), Viti (64), Zubin Potok (15), Ranillug (10), Dragash (57), Istog (62), Obiliq (33), Gllogoc (73), Deçan (51), Shtime (34), Klinë (63), Kamenicë (50), Fushë Kosovë (62), Leposaviq (25), Graçanicë (33), Vushtrri (95), Rahovec (78), Skënderaj (72) dhe Kaçanik (45)”, shtoi Elezi.


