Lajme

Policia turke arreston 357 të dyshuar të Shtetit Islamik

12/30/2025 15:16
nga:Sh R

Policia turke ka zhvilluar të martën operacione të tjera të përmasave të mëdha kundër grupit Shteti Islamik (IS) në të gjithë Turqinë, duke ndaluar 357 persona të dyshuar, njoftoi ministri i Brendshëm.

Aksionet erdhën një ditë pas një përplasjeje vdekjeprurëse në provincën veriperëndimore Yalova, ku u vranë tre policë dhe gjashtë militantë të IS-it.

Tetë policë të tjerë dhe një roje nate u plagosën gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë në një shtëpi që përdorej si strehë nga militantët, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Autoritetet turke kanë nisur një seri operacionesh kundër qelizave të dyshuara të IS-it gjatë javës së fundit, pas informacioneve se persona të lidhur me këtë grup po planifikonin sulme që kishin në shënjestër festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Të martën, policia kreu bastisje të njëkohshme në 21 provinca, përfshirë Stambollin, Ankaranë dhe Yalovën, duke ndaluar 357 të dyshuar, bëri të ditur ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya në një deklaratë të publikuar në rrjetin X. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.

Më herët, Zyra e Kryeprokurorisë së Stambollit kishte njoftuar se 110 persona u ndaluan gjatë bastisjeve në 114 adresa.

Sipas prokurorisë, disa prej të dyshuarve ishin të lidhur me militantët që hapën zjarr ndaj policisë në Yalova, ndërsa të tjerë dyshohet se po planifikonin sulme të mundshme rreth festimeve të Vitit të Ri.