Lajme

Qeveria shqiptare bën amnisti në fundvit, 300 të burgosur përfitojnë lirinë – 900 të tjerë ulje dënimi

12/29/2025 19:16
nga:G B

Në konferencën e tij të fundvitit, kreu i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi, ngriti edhe njëherë publikisht alarmin për gjendjen e sistemit të drejtësisë, referuar numrit të ulët të gjyqtarëve dhe numrit të lartë të dosjeve që presin gjykimin.

Rreth 380 të burgosur do të lirohen, ndërsa 900 persona të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Amnistinë penale të fund-vitit e njoftoi ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.

“Sot, për fat të keq, në sistemin e burgjeve ndodhen rreth 5 mijë persona, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme, konkretisht më shumë se gjysma e tyre janë të paraburgosur. Kjo situatë kërkon ndërhyrje të përgjegjshme dhe të menjëhershme, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane”, tha Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë në Shqipëri.

Kategoritë që do të përfitojnë përfshijnë kryesisht gratë, fëmijët dhe personat me rrezikshmëri të ulët, raporton A2.

“Më konkretisht, nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative.”

Nga amnistia nuk do mund të përfitojnë ndërkohë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë”, shprehet Lamallari duke theksuar se kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre.

Nga amnistia e fundit penale në prill 2024, 700 të burgosur lanë qelitë ndërsa 400 të tjerë përfituan ulje dënimi. Po ashtu, nga amnistia përfituan edhe 2 mijë e 700 persona në shërbim prove.