Lajme

Vjosa Osmani: Synoj edhe një mandat si presidente

12/29/2025 17:09
nga:G B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se synon të kandidojë sërish për postin më të lartë në vend.

Osmani theksoi se pret formimin e institucioneve të reja dhe paralajmëroi bisedime për mbështetje të kandidaturës së saj.

Ajo tha se synon të vazhdojë angazhimin politik, edhe nëse nuk zgjidhet presidente.

“Tani unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duar të deputetëve të Republikës së Kosovës. Do ta shohim se kush do të jenë ata që do të zgjidhen”, tha ajo.

Osmani tha se do të diskutojë për këtë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, partia e të cilit fitoi dje rreth 50% të votave. Vetë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje paralajmëroi mbrëmë se për çështjen e presidentes/presidentit do të diskutojë fillimisht me Osmanin, pastaj me partitë opozitare.

“Ne do të diskutojmë natyrisht, siç kemi diskutuar edhe më parë përgjatë këtij mandati se si t’i vazhdojmë punët e mira bashkarisht, sepse kjo, siç e dini, varet nga dy të tretat e deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët duhet të marrin pjesë në votim.

Osmani tha se 2/3 e deputetëve do të duhet të vendosin nëse “duan ta mbrojnë interesin” e vendit, dhe “në qoftë se duan ta dëgjojnë vullnetin qytetar”.

“Synoj që të vazhdojë punët e mira për qytetarët e Republikës së Kosovës, për vendin tonë. Mendoj që të arriturat e shumta dhe punët e mira që po na presin dhe që janë tek dera, mendoj se duhet të vazhdohen sepse është interesi më i mirë i Republikës sonë. Megjithatë, unë po ashtu jam plotësisht e vetëdijshme që kjo nuk varet vetëm nga ky vlerësim, por varet nga 2/3 e deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët, do të duhet të vendosin, do të thoja, në dy pika themelore: e para është në qoftë se duan ta mbrojnë interesin më të mirë të Republikës, dhe e dyta, në qoftë se duan ta dëgjojnë vullnetin qytetar”.

Osmani komentoi, gjithashtu, raportet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, politikën e jashtme të Kosovës, marrëdhëniet me SHBA-në nën administratën Trump, dialogun Kosovë-Serbi dhe zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve.

/REL