Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i procesojë edhe votimin me kusht në 38 qendra votimi me 57 vendvotime, votimin e personave me nevoja të veçanta dhe votimin me postë.
Valim Elezi, zëdhënës i KQZ-së, tregoi për aktivitetet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht”, tha ai.
Elezi tha se “së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve”.
“Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 2,860”.
Në përfaqësitë diplomatike, Elezi tha se kanë votuar mbi 16 mijë, ndërsa rreth 58 mijë kanë dërguar votat e tyre me postë.
“Nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Nga ky lloj votimi, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi këto të dhëna do t’i kemi pas përfundimit të procesit të tërheqjes së tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, vetëm nga tërheqjet e dy kutive postare, në Berlin dhe Bern, janë tërhequr 18 mijë pako të supozuara me fletëvotime”, tha ai.


