Sporti

Nuk kanë fituar trofe të madh në mbi 20 vite, Saliba entuziazmon tifozët: Sivjet mund ta fitojmë secilën garë

12/27/2025 14:23
nga:Sh R

Mbrojtësi qendror i Arsenalit, William Saliba, ka shprehur bindjen se skuadra e tij është e aftë të luftojë për katër trofetë këtë sezon, duke paralajmëruar bashkëlojtarët se historia nuk do t’i mbajë mend nëse nuk e mbushin vitrinën me trofe.

Arsenali e kaloi Krishtlindjen në krye të tabelës së Ligës Premier për herë të tretë në katër vitet e fundit, por ende kërkon ta hedhë hapin final dhe ta fitojë realisht titullin nën drejtimin e Mikel Artetës.

Pavarësisht punës mbresëlënëse të trajnerit spanjoll, ai ka vetëm një trofe madhor në CV-në e tij si trajner i “Topçinjve”, FA Cup të sezonit 2019/20.

Një nga kritikat më të shpeshta ndaj këtij Arsenali ka qenë paaftësia për ta mbyllur me sukses garën në momentet vendimtare, por Saliba beson se ky sezon do të jetë ndryshe.

Fitimi i katër trofeve në një sezon nuk është arritur kurrë në futbollin anglez. Manchester United (1998/99) dhe Manchester City (2022/23) kanë fituar nga tre trofe, por Saliba pranon se guxon të ëndërrojë që Arsenali të bëhet skuadra e parë që e realizon këtë sukses historik.

“Sigurisht që mund t’i fitojmë disa trofe, sepse në çdo kompeticion ku luajmë, e dimë që kemi potencial për ta fituar”.

“Ne kemi qenë shumë pranë titullit në Ligën Premier në tre sezonet e fundit, ndërsa sezonin e kaluar ishim në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe të Kupës së Ligës, kështu që e dimë se mund të fitojmë çdo garë”.

Arsenali ka ndërtuar me meritë reputacionin e një prej skuadrave më të mira në Evropë, por për Salibën kjo nuk mjafton pa trofe konkretë. Francezi nuk ishte pjesë e skuadrës që fitoi FA Cup pesë vite më parë dhe deri tani ka vetëm dy Superkupa të Anglisë.

Fitimi i trofeve ishte një nga arsyet kryesore pse ai vendosi të rinovojë kontratën me Arsenalin në shtator.

“Duhet ta tregojmë këtë në fushë dhe duhet të fillojmë të fitojmë trofe tani”.

“Jemi në gjysmëfinale të Kupës së Ligës, kanë mbetur edhe tri ndeshje për ne dhe duhet ta bëjmë punën në janar kundër Chelseat. Do të jetë një ndeshje e madhe, një derbi i madh, prandaj duhet të vazhdojmë përpara. E dimë që jemi afër dhe duhet të nxjerrim mësime nga sezoni i kaluar”.

“Në fund të karrierës numërohen trofetë. Kupa e Ligës është një prej tyre dhe tani që jemi në gjysmëfinale, sigurisht që duam ta fitojmë këtë kompeticion, ashtu si çdo garë ku marrim pjesë”.