Lajme

Kurti për shtesat e 100 eurove: Çdo herë janë ndarë para Vitit të Ri

12/25/2025 13:42
nga:N K

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kritikave për ndarjen e shtesave prej 100 euro për fëmijë e pensionistë në ditët e fundit të fushatës zgjedhore, duke thënë se kjo nuk është diçka e re.

Në një prononcim për media gjatë një vizite në stadiumin e futbollit në Shtime të enjten, ai iu është përgjigjur pyetjes për shtesat.

“A kanë qenë ato shtesa edhe vitin e kaluar? A kanë qenë edhe para vitit të kaluar? Çdo herë para Vitit të Ri, kur kemi dimër e kemi festa, ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët. Nuk ka asgjë të re në këtë aspekt. E re është qeverisja jonë, e cila do të vazhdojë edhe mandatin e tretë”, ka thënë ai.

Përderisa Qeveria e Kosovës dje mori vendimin për shpërndarjen e 100 eurove, të cilat do të ekzekutohen më 29 dhjetor një ditë pasi të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lajmi shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik.