Dukagjini po kalon në një moment shumë pozitiv në këtë edicion të Superligës së Kosovës.
Skuadra nga Klina ka siguruar rezultate shumë të mira, duke u renditur në vendin e tretë në nivelin elitar të futbollit kosovar.
Kapiteni i kësaj skuadre, Elton Basriu, tha për ‘GazetaBlic Sport‘, se forca e kësaj skuadre qëndron tek fryma kolektive, pra janë të bashkuar për të arritur suksese.
Ai shtoi se do t’i marrin ndeshjet një nga një dhe se do të vazhdojnë me paraqitje dinjitoz, për të siguruar së paku një pozitë që dërgon në garat evropiane.
“Me të vërtetë kemi pasur një gjysmësezon fantastik. Skuadra ka treguar karakter dhe gjithmonë kemi qenë të bashkuar gjatë gjithë sezonit, dhe kjo ndoshta ka qenë forca jonë kryesore! Nuk dua të flas për synimet e klubit, por do të luftojmë deri në fund për çdo pozitë që na çon në garat europiane. Do t’i marrim ndeshjet një nga një! E gjitha çfarë mund të them për stinorin pranveror është se do të vazhdojmë me paraqitje dinjitoze, dhe në çdo ndeshje do të futemi për fitore, pasi kemi treguar që mund t’i bëjmë ballë çdo kundërshtari”, deklaroi Basriu.

Nga 18 ndeshje të luajtura deri në fund të sezonit vjeshtor, Dukagjini ka 8 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje, të cilat e mbajnë në vendin e tretë.
Kujtojmë që për një kohë të gjatë, trajneri i kësaj skuadre ishte Ismet Munishi, kurse tashmë drejtimin e ekipit e ka marrë Ndue Pergjokaj.
/GazetaBlic Sport/


