Lajme

Gërxhaliu: Masat e BE-së ndaj Kosovës dëmtuan edhe kompanitë evropiane

12/23/2025 09:55
nga:N K

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka vlerësuar se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës nuk kanë prodhuar pasoja negative vetëm për ekonominë dhe institucionet vendore, por edhe për vetë kompanitë dhe konsorciumet evropiane që veprojnë në Kosovë.

Në një reagim në Facebook, Gërxhaliu thekson se projektet e financuara nga BE-ja dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë kanë qenë tradicionalisht përfitim i dyanshëm.

“Projektet e shumta të financuara nga donatorë të ndryshëm, por edhe nga BE-ja, janë mundësi përfitimi jo vetëm për Kosovën, por edhe për kompani implementuese evropiane”, ka shkruar ai.

Sipas tij, një pjesë e madhe e fondeve të ndara për Kosovën rikthehen në vendet e BE-së përmes kompanive zbatuese.

“Përgatitja e tenderëve, transferi i teknologjisë dhe sistemi know-how, konsulenca, projektimi, monitorimi, raportimi, biletat e aeroplanit, pagat dhe mëditjet e larta, hotelet e shtrenjta dhe pagesat për rrezikshmëri kanë absorbuar pjesën kryesore të vlerës financiare të një projekti apo donacioni nga BE-ja”, thekson Gërxhaliu.

Ai shton se tani që masat po hiqen gradualisht, po bëhet e qartë se ato kanë pasur pasoja edhe për organizatat evropiane që zbatonin projekte në Kosovë.

“Nga paratë që BE-ja i ndan për Kosovën, shpesh përfitojnë edhe entitete nga BE-ja, kështu që një pjesë e atyre parave mbetet në BE”, ka vlerësuar ai.

Gërxhaliu thekson se pezullimi apo ngadalësimi i projekteve ka krijuar një efekt zinxhir negativ.

“Këto masa kanë ndikuar në ndërprerjen e bashkëpunimeve, vonesat në implementim, rritjen e kostove operative dhe humbjen e mundësive për partnerë evropianë”, shprehet ai, duke shtuar se pasojat janë ndjerë si në bashkëpunimet me institucionet kosovare, ashtu edhe në zbatimin e drejtpërdrejtë të projekteve.

Sipas tij, masat gjithëpërfshirëse të BE-së kanë cenuar jo vetëm zhvillimin socio-ekonomik lokal, por edhe besueshmërinë e angazhimit evropian në Kosovë.

“Këto masa kanë krijuar një efekt zinxhir që ka cenuar efikasitetin, interesin dhe besueshmërinë e angazhimit evropian në Kosovë”, thekson Gërxhaliu.

Ai nënvizon se për Kosovën pasojat kanë qenë të thella edhe në aspektin e imazhit ndërkombëtar.

“Të jeni i vetmi shtet evropian pas Rusisë dhe Bjellorusisë me masa të tilla nuk i bën nder shtetit më të ri evropian”, ka deklaruar ai, duke shtuar se masat kanë qenë “një goditje e rëndë për investimet dhe investitorët e huaj, të cilët për disa vjet e kanë anashkaluar Kosovën”, shtoi ai.