Lajme

Sot vendoset gurthemeli për ndërtimin e Nënstacionit të ri në Malishevë

12/23/2025 07:18
nga:G B

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) shënon sot një moment të rëndësishëm për zhvillimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës, me ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV Malishevë.

Ceremonia do të mbahet në lokacionin e Nënstacionit Malishevë, duke filluar nga ora 13:00, në praninë e përfaqësuesve të KOSTT-it, institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe përfaqësuesve të komunitetit dhe mediave.

Ky projekt strategjik përfshin ndërtimin e nënstacionit të ri me transformatorë me kapacitet 40 MVA, si dhe ndërtimin e linjës së transmisionit 220 kV.

Ndërtimi i Nënstacionit në Malishevë synon të rrisë sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në rajonin e Malishevës dhe më gjerë, të përmirësojë stabilitetin e rrjetit transmetues dhe të krijojë kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe industrial.

Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës energjetike të vendit dhe përmbushjes së kërkesave në rritje për energji elektrike.