Lajme

Jeta Statovci: Edhe pak ditë angazhim, për katër vite siguri dhe begati

12/22/2025 19:49
nga:Genita C

Kandidatja e VV-së me numrin 17 për deputete, Jeta Statovci, ka theksuar se partia e saj fitoi fuqishëm zgjedhjet e këtij viti falë bashkëpunimit me qytetarët dhe besimit në një Kosovë më të fortë, më të barabartë dhe sovrane, raporton GazetaBlic.

Ajo kritikoi partitë opozitare duke theksuar se zgjedhjet e reja mund të shmangeshin nëse do të predominonte përgjegjësia mbi inatin.

Statovci nënvizoi se kjo fushatë e shkurtër duhet të çojë në krijimin e një qeverie të gjatë dhe stabile.

“Të dashur qytetarë, ne i fituam zgjedhjet e këtij viti. Dhe i fituam fuqishëm. I fituam sepse ishim bashkë. Ne besuam në një Kosovë më të fortë, më të barabartë dhe sovrane. U mohua nga partitë që humbën, ata zgjodhën bllokadën në vend të përgjegjësisë. Një herë bllokuan kryekuvendarin. Pastaj, tentuan ta bllokojnë edhe qeverinë dhe ja ku jemi sot, sërish në zgjedhje. Ato mund të ishin shmangur, por disa zgjodhën rrugën e inatit dhe destruktivitetin. Ne zgjodhëm rrugën përpara”, thotë Statovci.

“Kosova ka qytetarët e saj, ka vetëdije të plotë për të gjykuar politikisht drejt. Kjo fushatë është e shkurtër, por duhet të sjell një qeveri të gjatë dhe stabile. Unë jam Jeta Statovci dhe nuk kam lëshuar pe në kauzat e mia, mos lësho pe as ti”, shtoi ajo.