Lajme

Peci: Heqja e masave nuk përbën sukses diplomatik

12/20/2025 15:16
nga:Sh R

Drejtori i institutit KIPRED, LulzIm Peci ka thënë se heqja e sanksioneve nuk duhet të shihet si fitore.

Ai ka bërë me dije se heqja e masave nuk përbën sukses diplomatik.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se cilësimi i këtyre zhvillime si fitore është keqinterpretim dhe manipulim.

“Jam gëzuar për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe për qasjen e SHBA-ve ndaj Ballkanit dhe Kosovës, ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) të Shteteve të Bashkuara. Këto zhvillime krijojnë mundësi për Qeverinë e re, të cilën do të ishte e dëshirueshme ta presim pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Megjithatë, nëse vazhdohet me qasjen e deritanishme, Kosova rrezikon të osciloj në mes ngecjes dhe sanksionimit. Por, nga ana tjetër, t’i quash këto zhvillime fitore më së paku është keqinterpretim, e shumë më tepër manipulim”, ka shkruar ai.

Sipas tij, heqja e këtyre masave është menaxhim i dëmit të shkaktuar nga amaterizmi i Qeverisë së Kosovës.

“Vendosja e masave të BE-së ishte humbje strategjike. Heqja e tyre nuk përbën sukses diplomatik, por thjesht menaxhim të dëmit të shkaktuar nga amaterizmi I Qeverisë së Kosovës në trajtimin e marrëdhënieve me partnerët kyç. Po ashtu, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i Shteteve të Bashkuara nuk mund dhe nuk duhet të paraqitet si rezultat i ndonjë angazhimi diplomatik të Kosovës. Ky ligj reflekton interesat afatgjata të sigurisë së SHBA-së. Përfshirja e Kosovës dhe e Ballkanit në këtë kontekst është pasojë e arkitekturës së sigurisë euroatlantike, e jo meritë e politikës së ditës në Prishtinë. Në këtë proces, jo vetëm Kosova, por të gjitha vendet e Ballkanit janë spektatore, prej të cilave pritet të përmbushin obligimet e tyre”, ka shkruar ai, duke treguar se çka është humbje për Kosovën.

“Humbja reale për Kosovën është gjithashtu ndërprerja e Dialogut Strategjik me Ëashingtonin, i cili paraqet një sinjal alarmi për çdo shtet serioz. Aleancat nuk ruhen me slogane, por me koordinim, parashikueshmëri dhe besueshmëri. Megjithatë, kostot e politikave të papërgjegjshme, në fund, i paguan populli, ndërsa politikanët që i kanë shkaktuar ato edhe mund të vazhdojnë ta shijojnë pushtetin, kuptohet, me fraza që tingëllojnë bukur”, ka shkruar Peci.