Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave në Kosovë, të cilat kanë informuar se në kuadër të një aksioni të udhëhequr nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), është arrestuar edhe avokatja shtetërore Nexhmije Karaqi.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky informacion është i pavërtetë, i pabazuar dhe i pa konfirmuar. Në sqarimin zyrtar thuhet se bëhet fjalë për një identifikim të gabuar, të bazuar vetëm në iniciale të ngjashme, pa asnjë konfirmim nga institucionet kompetente.
“Avokatja Nexhmije Karaqi nuk është arrestuar, nuk është ndaluar, nuk është intervistuar dhe nuk është subjekt i asnjë procedure nga organet e drejtësisë”, thuhet në reagimin e Ministrisë, duke theksuar se çdo përpjekje për ta lidhur emrin e saj me këtë aksion përbën dezinformim dhe raportim të pasaktë.
Ministria e Drejtësisë vlerëson se publikimi i emrit dhe fotografive të avokates Karaqi pa konfirmim zyrtar përbën cenim të reputacionit dhe shkelje të së drejtës së personalitetit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin civil në fuqi.
Po ashtu, theksohet se raportime të tilla krijojnë konfuzion te publiku dhe dëmtojnë besimin në institucione dhe në informimin e drejtë.
Ministria ka kërkuar nga të gjitha mediat që kanë publikuar këtë informacion që të bëjnë korrigjimin e menjëhershëm të lajmit, të tërheqin emrin e avokates Nexhmije Karaqi nga raportimet dhe të publikojnë demantin, ashtu siç është publikuar edhe lajmi fillestar.


