Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë të ditur se pesë degët e Transparency International në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, lansuan zyrtarisht platformat digjitale Integrity Watch.
Sipas tyre, ky shënon një hap të rëndësishëm në avancimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në institucionet publike në të gjithë rajonin.
“Pesë platformat u ofrojnë qytetarëve, mediave, organizatave të shoqërisë civile, akademisë dhe institucioneve publike në rajonin e Ballkanit qasje të lehtë në të dhëna dhe informacione publike që lidhen me integritetin në ushtrimin e funksioneve publike”, thuhet në njoftimin e KDI-së.
Sipas tyre, përmes indikatorëve të integritetit, platformat ekspozojnë rreziqet e korrupsionit në fushat si deklarimi i pasurisë, prokurimi publik dhe financimi politik.
KDI-ja thotë se platformat Integrity Watch i shndërrojnë të dhënat institucionale në vizualizime të kuptueshme dhe të lehta për përdoruesit, duke mundësuar analiza të bazuara në prova, gazetari hulumtuese dhe duke forcuar mbikëqyrjen publike të proceseve vendimmarrëse.
“Një veçori kyçe e kësaj nisme rajonale është përdorimi i një qasjeje konceptuale dhe strukture të përbashkët të platformës, ndërkohë që secila platformë Integrity Watch pasqyron të dhënat e disponueshme në nivel kombëtar si dhe kontekstin ligjor dhe institucional specifik të secilit vend. Në tërësi, platformat kontribuojnë në një kuptim më të gjerë rajonal të sfidave që lidhen me integritetin”, ka bërë të ditur KDI-ja.
Kanë treguar se platformat Integrity Watch janë zhvilluar në përputhje me parimet e qeverisjes së hapur, të dhënave të hapura, kontraktimit të hapur dhe llogaridhënies publike.
“Ky lansim rajonal riafirmon përkushtimin afatgjatë të Transparency International dhe degëve të saj për forcimin e qeverisjes demokratike, luftimin e korrupsionit dhe mbështetjen e institucioneve që i shërbejnë interesit publik”, thuhet në njoftimin e KDI-së.


