Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, mbrëmë në emisionin Rubikon në Klan Kosova, foli për periudhën kur si kryeministër arriti të krijojë Ushtrinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një të drejtë të mohuar historikisht për popullin e Kosovës.
Ai theksoi se procesi u realizua me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht pas takimit në Pentagon me ish-Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, dhe me përkrahjen e Administratës Trump dhe vendeve të NATO-s, pavarësisht skepticizmit se një ushtri e Kosovës mund të sillte destabilizim rajonal.
Sipas Haradinajt, Ushtria e Kosovës është ushtri e paqes dhe Kosova nuk duhet të jetë kurrë burim krize.
“I jemi mirënjohës Administratës Trump që ka qenë në mbështetje tonën, dhe i falënderoj për besim e përkrahje edhe plot vende tjera anëtare të NATO-s. vërtetë që ka pasur skeptikë, e besoj që ka ende. E lidhnin me 1244, ose me ndryshim të Kushtetutës… por, përkundër shqetësimeve që i kanë pasur plot se krijimi i Ushtrisë së Kosovës mund të jetë destabilizim, si për Kosovën ku funksionojnë shumë ushtri që janë pjesë e KFOR-it, ose destabilizim rajonal që do të ketë reagime në rajon, besa u mendoke që edhe në veri mund të ketë reagime. Por, u arrit që Ushtria e Kosovës është e paqes, që ne jemi të fundit që e kemi fituar paqen dhe do të jemi të fundit që do ta lëshojmë paqen”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se ne nuk duhet asnjëherë të jemi burim destabilizimi apo krize që nuk është e domosdoshme për Kosovën ose për aleatët e vendit.
Ai foli edhe për përvojën e tij personale si luftëtar i UÇK-së, duke theksuar se nuk e ka lëshuar asnjëherë frontin dhe se ka varrosur me duart e tij shumë bashkëluftëtarë.
Haradinaj reagoi ndaj kritikave që lidhen me emocionet e tij familjare, duke thënë se të kesh nënën gjallë është njerëzore dhe nuk e bën askënd më pak të denjë për udhëheqje.
Në aspektin politik dhe ekonomik, Haradinaj deklaroi se si kryeministër do të merrte menjëherë vendim për dyfishimin e pagave, duke argumentuar se fondet mund të sigurohen përmes uljes së shpenzimeve jo të domosdoshme dhe aktivizimit të partneritetit publiko-privat për investimet kapitale.
Sa i përket formimit të qeverisë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ai u shpreh i hapur për bashkëpunim me partitë opozitare dhe madje edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, nëse kjo e fundit do të pranonte të bëhej pjesë e një Qeverie Haradinaj 3, megjithëse theksoi se nuk do të votonte një qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti.
Haradinaj nënvizoi se dyert nuk duhen mbyllur për askënd kur është fjala për ndërtimin e institucioneve të vendit.


