Sporti

“Rrëfehet” Valentin Serebe: Jam mirëpritur shumë tek Ballkani, futbolli kosovar është shumë i fortë – shpresoj të fitojmë titullin

12/16/2025 12:27
nga:Lorik J

Senzacioni i këtij sezoni në Superligën e Kosovës në futboll është padyshim sulmuesi i Ballkanit, Valentin Serebe, i cili ka “shpërthyer” me golat dhe paraqitjet e tij mahnitëse në vendin tonë.

Serebe ka qenë i papërmbajtshëm, duke shënuar 13 gola dhe duke dhënë 2 asistime në 16 ballafaqime me Ballkanin, shkruan GazetaBlic Sport.

Përkushtimi i tij dhe golat në pothuajse çdo ballaqim, i kanë ndihmuar Ballkanit që të shpallet kampion vjeshtor në Kosovë.

Serebe thotë se që nga dita e parë ai u mirëprit nga të gjithë në klub dhe qytet dhe kjo i ndihmoi që ai të fitojë besim e të bëhet golashënuesi më i mirë deri tani në elitën e futbollit tonë.

“Ndihem vërtet shumë mirë, sinqerisht. Që nga momenti kur mbërrita në Kosovë, u ndjeva i mirëpritur dhe mora besim nga klubi, shokët e skuadrës dhe tifozët. Ky besim të ndihmon shumë në fushë. Të jesh golashënuesi më i mirë është një ndjenjë e shkëlqyer, por për mua është kryesisht rezultat i punës kolektive të ekipit. Pa ta, kjo nuk do të ishte e mundur”, tha fillimisht Valentin Serebe për ‘GazetaBlic Sport’.

Sa i përket futbollit kosovar, Serebe potencon se është shumë më i mirë sesa e mendojnë njerëzit, teksa shton se ka mbetur i befasuar nga cilësia në kampionat.

“Nuk e prisja që gjërat të shkonin kaq shpejt, për të qenë i sinqertë. Futbolli në Kosovë më ka befasuar shumë pozitivisht. Është konkurrues, intensiv dhe shumë fizik, me plot lojtarë të talentuar. Niveli është më i lartë nga sa mendojnë shumë njerëz dhe çdo ndeshje është një betejë e vërtetë. Pikërisht kjo më ka ndihmuar të rritem shpejt dhe ta përshtas lojën time”, vazhdoi sulmuesi.

Në fund, sulmuesi tha se shpreson se këtë edicion mund të bëhen kampion, vetëm nëse vazhdojnë me të njejtin ritëm deri në fund.

“Po, besoj sinqerisht se mund të shpallemi kampionë këtë vit. Kemi një grup të fortë, një vizion të qartë dhe shumë uri për sukses. Suhareka ka një shpirt të veçantë dhe po luftojmë në çdo ndeshje me këtë në mendje. Nëse qëndrojmë të fokusuar, modestë dhe vazhdojmë të punojmë fort, sjellja e titullit në Suharekë është plotësisht e mundur”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/