Lajme

Dr. Sci Besim Mulaj: 6 dështimet kryesore të qeverisë Kurti

12/14/2025 18:22
nga:G B

Dr. Sci Besim Mulaj, kandidat për deputet nga LDK, ka numëruar gjashtë dështimet kryesore të qeverisë Kurti, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ato janë: konflikti i vazhdueshëm me miqtë ndërkombëtarë, energjia – shembulli më i qartë i keqmenaxhimit, administrata publike, infrastruktura, zhvillimi ekonomik dhe investimet.

Krejt në fund, ai e ka përgëzuar për urën e Saradranit, një fshat në Komunën e Istogut.

Postimi i tij i plotë:

6 dështimet kryesore të qeverisë Kurti

Për 5 vite qeverisje, premtimet e mëdha u shndërruan në dështime të rënda që sot po i paguan qytetari i Kosovës. Këto nuk janë më çështje perceptimi apo propagande, por pasoja konkrete në ekonomi, politikë dhe jetën e përditshme.

Së pari: konflikti i vazhdueshëm me miqtë ndërkombëtarë.

Për herë të parë, Kosova u fut në përplasje të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke arritur deri te pezullimi i negociatave për partneritet strategjik dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë për mungesë bashkëpunimi. Njëkohësisht, raportet me Bashkimin Evropian u përkeqësuan aq shumë saqë u vendosën masa ndëshkuese, të cilat i kushtuan Kosovës afër një miliard euro humbje. Izolimi nuk është sovranitet, por dështim diplomatik.

Së dyti: energjia – shembulli më i qartë i keqmenaxhimit.

Çmimi i energjisë elektrike u rrit vazhdimisht si për konsumatorët familjarë ashtu edhe për bizneset. Mbi 1300 biznese u detyruan të dalin në tregun e lirë të energjisë, ku çmimi u trefishua. U premtua hetim për shitjen e rrjetit të shpërndarjes së energjisë, por për 5 vite të gjitha institucionet i shërbyen grupeve të interesit. U premtuan kapacitete të reja energjetike, por jo vetëm që nuk u ndërtua asnjë megavat i ri, por u menaxhuan keq edhe kapacitetet ekzistuese, duke rritur faturën e importit të energjisë me qindra miliona euro.

Së treti: administrata publike.

U premtua administratë profesionale dhe e pavarur, por ndodhi e kundërta. Për herë të parë, pothuajse të gjitha pozitat drejtuese u lanë me ushtrues detyre, duke i paralizuar institucionet dhe duke hapur rrugë për punësime të militantëve partiakë dhe familjarëve. Një administratë e përkohshme nuk mund të prodhojë politika serioze dhe afatgjata.

Së katërti: infrastruktura.

Asnjë projekt madhor nuk u finalizua. Rrugët Prishtinë–Podujevë, Prishtinë–Pejë, Prishtinë–Gjilan, Gjakovë–Dollc–Skenderaj–Drenas e shumë të tjera po keqmenaxhohen çdo ditë. Këto projekte po zgjasin pafund, duke i shkaktuar humbje ekonomike shtetit dhe kosto e stres qytetarëve.

Së pesti: zhvillimi ekonomik dhe investimet.

Për 5 vite nuk u finalizua asnjë park biznesi. Si rezultat, Kosova nuk arriti të tërheqë asnjë investitor serioz strategjik. Ndërkohë, drejtues të ministrive përballen me procese gjyqësore për korrupsion, ndërsa vendi mbeti pa zhvillim dhe pa vende të reja pune.

Për më tepër, u premtua se Kosova nuk do të shpopullohej sa kohë kjo qeveri ishte në pushtet. Fatkeqësisht, ndodhi e kundërta: sot kemi më shumë qytetarë në tubime jashtë Kosovës sesa brenda saj. Për 5 vite, Kosova u zbraz, ndërsa propaganda u mbush.

Dhe për ta mbyllur drejt:

Albin, të përgëzoj për përfundimin e Urës së Saradranit në Istog. Këtë punë nuk ta humbi askush. Pas 5 viteve premtime, dështime dhe humbje miliardëshe, ura mbetet dëshmi se kur ka vullnet, diçka edhe përfundohet. Ironike, por e vërtetë.