Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimin për organizimin e qendrave të votimit jashtë Kosovës, duke vërtetuar në tërësi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të datës 30 nëntor 2025.
Me vendimin e tij, PZAP kishte pranuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kishte ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të datës 26 nëntor 2025, duke përcaktuar që qendrat e votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 të vendosen vetëm në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ose në hapësirat e tyre.
Ky vendim ishte kundërshtuar nga LVV-ja, që kishte pretenduar shkelje të dispozitave ligjore dhe kishte kërkuar nga Gjykata Supreme që të aprovojë ankesën e saj.
Por, pas shqyrtimit të dokumentacionit, Gjykata Supreme konstatoi se pretendimet e LVV-së janë të pabazuara.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe në përputhje me ligjin, ndërsa kufizimi i qendrave të votimit vetëm brenda përfaqësive diplomatike përbën një masë mbrojtëse të domosdoshme për të garantuar integritetin e votës.
“Gjykata theksoi se shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit u garantohet e drejta e votës, por ushtrimi i saj duhet të bëhet në pajtim me kushtet ligjore të përcaktuara. Në këtë kuadër, vlerësimi i PZAP-së se ky organizim siguron proces të rregullt dhe të besueshëm zgjedhor është cilësuar i bazuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.


