Sindikata e re e KEK-ut ka njoftuar se më 12 dhjetor para ndërtesës së KEK-ut në Prishtinë do të organizohet një protestë paqësore, nëpërmjet të cilës do të kërkohet rritja e pagave për punonjësit e KEK-ut ndër të tjera, si dhe zbatimi i pagës së 13-të.
Protesta do të nisë nga ora 11:00.
“Kryesia e Sindikatës së Re të KEK-ut ka miratuar vendimin për organizimin e një proteste paqësore me qëllim adresimin e kërkesave urgjente të punëtorëve: Rritjen e pagave për punëtorët e KEK-ut, në përputhje me tregun e punës, inflacionin dhe kushtet e rrezikshme të punës; Nivelizimin e pagave të sigurimit fizik të barazohen me punëtorët tjerë të KEK-ut, duke filluar nga data 01.01.2026; Zbatimin e pagës së 13-të për punëtorët e KEK-ut, ashtu siç është premtuar për sektorin publik. Punëtorët e KEK-ut kontribuojnë në një sektor strategjik për shtetin dhe nuk mund të trajtohen me standarde më të ulëta se pjesa tjetër. Kërkesat janë të ligjshme, të arsyeshme dhe të domosdoshme për dinjitetin e punëtorëve”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Re të KEK-ut.


