Lajme

Konstituohet Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve

12/08/2025 15:08
nga:N K

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se të hënën është konstituuar Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve.

Sic bëhet e ditur në njoftim, ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci e cila mori pjesë në këtë mbledhje ka falenderuar të gjithë anëtarët për angazhimin dhe përgjegjësitë që bartin, duke vlerësuar lart kontributin e tyre në proceset e licencimit, të cilat janë thelbësore për funksionimin dhe zhvillimin e sistemit të arsimit parauniversitar.

Ajo ka theksuar se roli i Këshillit mbetet qendror në sigurimin e standardeve profesionale të mësimdhënësve dhe se deri tani ka vepruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale, duke përballuar sfida ligjore dhe ndërinstitucionale.

“Ka shumë punë përpara dhe jam tejet mirënjohëse për angazhimin e Këshillit deri më tani,” tha Ministrja Nagavci.

Ajo ka shtuar se disa sfida burojnë nga legjislacioni aktual, çështjet ndërinstitucionale dhe kufizimet ligjore dhe financiare, por se MASHTI mbetet i përkushtuar për të mbështetur Këshillin, duke siguruar që proceset e licencimit të jenë efikase, transparente dhe në shërbim të rritjes së cilësisë në arsim.

Anëtarët e Këshillit shprehën gatishmërinë për të vazhduar angazhimin në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë.