Lajme

Gjini: AAK synon rezultat dyshifror dhe garon e vetme në zgjedhje

12/06/2025 21:13
nga:Sh R

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka deklaruar në Debat Plus se pas rezultateve të mira në zgjedhjet lokale, brenda partisë është krijuar një mobilizim i ri dhe i fuqishëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Gjini tha se AAK do të garojë e vetme, pa koalicione me asnjë subjekt tjetër politik në këtë proces zgjedhor.

“Aleanca pret një numër dyshifror në zgjedhje… Unë nuk garoj në këto zgjedhje për shkak se veç sa e kam dhënë betimin si kryetar komune dhe nuk kish logjikë me ndodh një gjë e tillë”, u shpreh ai.

Ai theksoi se struktura e AAK-së në të gjitha nivelet është tejet e motivuar.

“Mirëpo secili prej nesh, secili kryetar dege dhe të gjithë udhëheqësit prej nivelit lokal deri te niveli nacional janë shumë të motivuar dhe presim rezultat më të mirë se në zgjedhjet e kaluara”, tha Gjini.

Sipas tij, mobilizimi i brendshëm dhe pritjet e larta dëshmojnë synimin e AAK-së për të rritur dukshëm performancën elektorale në zgjedhjet e ardhshme.