Lajme

Rrënohet një pjesë e restorantit ‘Peshkopia’ në Drenas

12/03/2025 14:18
nga:Y I

Komuna e Drenasit ka ndërmarrë sot në mëngjes një aksion për lirimin e pronës komunale, duke rrënuar një pjesë të objektit të restorantit “Peshkopia”.

Sipas autoriteteve komunale, hapësira ishte shfrytëzuar prej vitesh në mënyrë të paligjshme nga subjekti ekonomik.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar menjëherë pas ekzekutimit të vendimit, duke theksuar se zbatimi i ligjit dhe barazia para ligjit mbeten parimet e tij të panegociueshme.

“Prona e uzurpuar nga ky subjekt ekonomik, edhe pse pas shumë vonesave, pasi Gjykata e tha fjalën e saj, është duke u liruar. Ndërsa lidhur me vonesat në realizimin e projektit dhe dëmet financiare që i janë shkaktuar Komunës së Drenasit, do të zhvillojmë procedura tjera ligjore,” ka deklaruar Lladrovci.

Ai ka theksuar se lirimi i pronës komunale ishte detyrim ligjor dhe i domosdoshëm për mbrojtjen e interesit publik, duke paralajmëruar hapa të tjerë institucionalë për përgjegjësitë financiare që, sipas komunës, janë shkaktuar nga uzurpimi shumëvjeçar.

Reagimi i restorantit “Peshkopia”

Ndërkohë, një ditë më parë, restoranti “Peshkopia” kishte njoftuar klientët për mbylljen e përkohshme të lokalit, duke e lidhur atë me punimet e komunës për lirimin e hapësirës publike.

“Të dashur klientë, Restaurant ‘Peshkopia’ do të jetë i mbyllur për disa ditë për shkak të punimeve të Komunës për lirimin e hapësirës publike. Po bëjmë maksimumin që të rikthehemi sa më shpejt, me shërbimin dhe ushqimin që ju e meritoni. Ju falënderojmë për mirëkuptimin,” thuhej në njoftimin e publikuar nga restoranti.