Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher, ka paralajmëruar se trajneri Arne Slott ka vetëm një javë kohë për të shpëtuar punën e tij dhe nuk mund të përballojë një tjetër humbje në ditët në vijim.
Kriza në Anfield po thellohet dhe pozicioni i holandezit duket gjithnjë e më i pasigurt, transmeton GazetaBlic Sport.
Vetëm gjashtë muaj pasi ngriti me triumf titullin e Premier League, Liverpooli është në një krizë të paparë, duke humbur nëntë nga 12 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Statistikat tronditëse e lënë Slottin të luftojë për të ardhmen e tij në klub.
Përpara vizitës së së dielës në West Ham, holandezi ka treguar besim dhe ka zbuluar se ende po zhvillon “të njëjtat biseda” me menaxhmentin e klubit pavarësisht spekulimeve në rritje rreth emrit të tij.
Legjenda e klubit Jamie Carragher ka një mendim tjetër. Në rubrikën e tij për Telegraph, ai paralajmëroi se durimi me Slottin po mbaron. Sipas tij, Liverpooli duhet të marrë të paktën 7 pikë nga tre ndeshjet e tyre të ardhshme që trajneri të mbajë punën e tij.
“Pavarësisht se sa vullnet të mirë ka ndaj trajnerit, klubi i Liverpool nuk mund ta përballojë rënien e standardeve që kemi parë gjatë tre muajve të fundit”, shkroi Carragher.
“Askush nuk e di më mirë se unë se sa shumë do t’i dëmtojë ky realitet të gjithë ata që lidhen me ish-klubin tim. Liverpooli nuk i shkarkon lehtë trajnerët, veçanërisht ata që kanë dhënë rezultate të shkëlqyera.”
Ndeshjet e ardhshme janë vendimtare, dhe çdo gabim ka të ngjarë ta bëjë pozicionin e Slot “të paqëndrueshëm”.
/GazetaBlic Sport/


