Vonimi i formimit të institucioneve, ka çuar në mosvotimin e buxhetit të vendit, duke thelluar krizën ekonomike. Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve ekonomike. Arton Muhaxheri, tha se përgjegjës kryesor është Lëvizja Vetëvendosje, sepse ajo kishte për detyrë formimin e institucioneve dhe sikur këtë ta kishte bërë me kohë, nuk do të përballeshim sot me probleme.
Muhaxheri në një prononcim për GazetaBlic, tha se kjo që po ndodh tani është vetëm paralajmërim i një krize më të thellë e cila mund të ndodh nëse edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk kemi reflektim nga ta që do të marrin përsipër udhëheqjen e vendit.
“Të gjitha krizat që po shohim sot janë pasojë e një bllokade disamujore në krijimin e institucioneve. Kjo situatë ka përgjegjës të qartë, dhe përgjegjësia kryesore bie mbi partinë Vetëvendosje, e cila ka pasur detyrën kryesore t’i formojë institucionet. Sikur këto institucione të ishin themeluar me kohë, shumë nga problemet që po i shohim sot do të ishin shmangur”.
“Ajo që po ndodh tani është vetëm një paralajmërim i krizës më të thellë që mund të pasojë nëse edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit nuk do të ketë reflektim nga ata që do ta kenë përgjegjësinë per krijmin e institucioneve”.
Tutje ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje po bën thirrje ndaj opozitës për të shkelur Kushtetutën, dhe se nuk sheh mundësi për zgjidhje deri pas 28 dhjetorit.
“ Për më tepër, jemi duke parë një thirrje të hapur nga VV drejtuar partive opozitare për të shkelur ligjet dhe Kushtetutën të gjitha së bashku”.
“Në këto rrethana, nuk shoh mundësi reale për zgjidhje deri pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Pas tyre, duhet formuar urgjentisht institucionet dhe duhen marrë masa të menjëhershme për të zhbllokuar situatën”.
“Çdo tentim për zgjidhje apo vendimmarrje në një periudhë kur vendi është pa Kuvend dhe pa Qeveri përbën shkelje kushtetuese, për të cilën përgjegjësit mund të thirren në llogaridhënie në të ardhmen”- përfundoi Muhaxheri për GazetaBlic.


