Skuadra e Prishtinës së Re ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me trajnerin Qendrim Kida.
Sot gjatë ditës, Shpëtim Babaj dha dorëheqje nga kjo pozitë, teksa pak minuta më parë, Prishtina e Re njoftoi se Kida do ta udhëheqë ekipin në pjesën e mbetur të sezonit, shkruan GazetaBlic Sport.
Ja njoftimi i klubit:
“Emërimi i Kryetrajnerit të ri të KF Prishtina e Re
KF Prishtina e Re njofton opinionin publik, tifozët dhe komunitetin futbollistik se nga sot, Qendrim Kida emërohet Kryetrajner i ekipit të parë.
Ky vendim vjen si pjesë e strategjisë sonë të re për konsolidimin e ekipit, rritjen e stabilitetit dhe riformësimin e mentalitetit fitues brenda skuadrës.
Klubi beson fuqimisht se me emërimin e Qendrim Kida si Kryetrajner, fillojmë një faqe të re të rëndësishme drejt stabilizimit dhe progresit.
Jemi të bindur se me punë, disiplinë dhe bashkëpunim, ekipi do të rikthehet atje ku e meriton.
Klubi i uron trajnerit Kida mirë se ardhje dhe shumë suksese në detyrën e re”, shkruhet në njoftim.
/GazetaBlic Sport


