Gazetari dhe komentatori i mirënjohur kosovar, Arbër Loxha, ka komentuar shortin e ditës së sotme në ‘Play-Off’ të Kupës së Botës.
Kosova u shortua me Sllovakinë për gjysmëfinale, kurse në rast suksesi në këtë sfidë, atëherë në finale do të luajë ndaj fituesit të ndeshjes mes Turqisë dhe Rumanisë.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Loxha tha se Kosova mund të kalojë këtë kundërshtar, por që duhet pasur kujdes të shtuar, gjithnjë për faktin se sllovakët kanë marrë rezultate pozitive, madje e kanë rritur ndjeshëm mentalitetin, pas pjesëmarrjes në Euro 2024.
“Besoj se mund ta kalojmë Sllovakinë. Megjithatë, nuk duhet harruar që Sllovakia është një skuadër shumë kompakte, mirë e organizuar dhe së fundmi e kemi parë të marrë rezultate tejet pozitive kundër kombëtareve si Gjermania, Belgjika dhe Uellsi. Mendoj se pjesëmarrja e Sllovakisë në Euro 2024 i ka rritur ndjeshëm mentalitetin ekipit, ndërsa lojtarët e saj më të rëndësishëm luajnë role kyçe edhe te klubet e tyre, si Napoli, Atletico Madrid dhe Fenerbahçe”, tha fillimisht Loxha.

Tutje, ai komentoi edhe gjasat tona për finalen e mundshme, ku tha se e sheh Turqinë si një kundërshtar shumë të vështirë (nëse e kalon Rumaninë), por që për faktin se kjo finale do të luhej në Kosovë, atëherë një stadium i mbushur mirë, do të mund të ndikonte.
“Edhe pse nuk duhet të bëjmë hop pa kaluar gardhin, është mirë të planifikojmë edhe për rastin e suksesit në gjysmëfinale. Turqia, sipas mendimit tim, është kombëtarja e dytë më e fortë pas Italisë nga Vazo e Parë, dhe mendoj se do të jetë pothuajse e pamundur të mposhtet, edhe pse luajmë në “Fadil Vokrri”. Por duke qenë se në futboll, edhe kur je më i dobët, mund të fitosh, kjo na mban me shpresë për kualifikim.
Turqia i bën pothuajse të gjitha gjërat mirë: nga aspekti taktik, te teknika, talenti dhe çdo element tjetër që e karakterizon një skuadër të nivelit të lartë. Prandaj, në këtë rast, duhet ta mbushim stadiumin në maksimum dhe të krijojmë një atmosferë që do t’i shtyjë përpara futbollistët tanë”, përfundoi gazetari i mirënjohur kosovar, Arbër Loxha.

/GazetaBlic Sport/


