Sporti

Begolli: Kosova zhvilloi një kampanjë të suksesshme kualifikuese, Foda reflektoi pas ndeshjes me Zvicrën

11/22/2025 16:47
nga:Mergim Rreci

Trajneri i mirënjohur kosovar, Granit Begolli, e ka komentuar kampanjën kualifikuese të Kosovës për Kupën e Botës.

Në intervistën e tij për dokumentarin ‘Expose’, prodhim i ‘GazetaBlic’, ai tha se Kosova ka zhvilluar një kampanjë shumë të suksesshme, gjithmonë bazuar edhe tek kundërshtarët që kishte në grup.

Begolli tha se një moment kthese ishte pas humbjes së thellë në ndeshjen e parë nga Zvicra, ku më pas gjithçka shkoi mirë.

Vlerësimet e duhura i dha edhe për trajnerin Foda dhe ndryshimet e tij në formacion, duke zgjedhur lojtarë me formë optimale.

Po, është e vërtetë, është një kampanjë shumë e suksesshme, në bazë të asaj se çka kemi prit prej Kosovës sidomos në këtë grup, ka qenë e vështirë që me kombëtare që luajnë rregullisht në kompeticionet e UEFA-s të dalim në vendin e dytë, por pas asaj disfatës me Zvicrën, të gjithë reflektuan, duke fillu nga trajneri Foda, poashtu kemi shtuar konkurrencën në grup, pasi kemi sjellur elemente të reja. Pjesa më e rëndësishme është që lojtarët e zgjedhur nga Foda për formacion, ka qenë se ata ishin në formë optimale dhe kishin minutazh të plotë, kjo e ka ndihmu kombëtaren me marrë këto rezultate, veç Zvicra na ka realize gola, kurse Sllovenia e Suedia jo, andaj ekipa është jashtëzakonisht e fortë edhe për “Play Off” dhe ëndrrën e madhe për kualifikimin në Botëror“, tha fillimisht Begolli.

Tutje, ai komentoi edhe gjasat tona për në ‘Play Off’, ku tha se duhet të presim dhe të shohim se si do të jetë gjendja e lojtarëve dhe e kombëtares në përgjithësi, sepse deri atëherë, gjithçka edhe mund të ndryshojë.

Megjithatë, ai tha se gjasat janë të mira, kurse në rast kalimi në finale, atëherë bashkë me ritmin e kombëtares do të na nevojitej edhe pak fat në short.

Është shumë e rëndësishme qysh shkojmë ne në “Play Off” dhe forma e futbollistëve, pasi mund të ndryshojnë shumë gjëra deri në mars. Mendoj se gjasat i kemi të mira për të kaluar gjysmëfinalen, teksa finalja është pak edhe çështje fati se me kë do përballemi, por jemi të gatshëm me bë edhe një hap drejt ëndrrës, kemi gjasa, por uroj të kemi pak fat në short dhe pse jo ta luajmë një finale“, përfundoi Begolli.

/GazetaBlic Sport/