Lajme

BDI e shqetësuar me vlerësimin e KE-së për Maqedoninë e Veriut

11/15/2025 14:45
nga:Sh R

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për vitin 2025, duke e cilësuar atë si një nga vlerësimet më të dobëta që Maqedonia e Veriut ka marrë në dekadën e fundit. Sipas BDI-së, raporti pasqyron stagnimin institucional, mungesën e reformave dhe mungesën e vullnetit politik për ta çuar vendin përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

BDI thekson se gjuha e përdorur nga Komisioni është e qartë dhe alarmuese, me terma si “pa progres”, “progres i kufizuar”, “nuk u morën masa” dhe “zbatimi mbetet i dobët”, të cilat sipas tyre tregojnë diagnozën e vërtetë të gjendjes së brendshme të shtetit. Këto, siç thotë partia, nuk janë interpretime politike, por konstatime zyrtare nga BE.

BDI thotë se një nga kritikat më të forta në raport lidhet me dështimin për të realizuar ndryshimet kushtetuese, kusht kyç i vendosur nga Këshilli Evropian.  Rraporti thekson se nuk është bërë asnjë përpjekje për miratimin e tyre, çka sipas BDI-së përbën shkelje të një zotimi ndërkombëtar dhe dëmton imazhin e shtetit.

Tutje thuhet se raporti vë në dukje gjithashtu mungesën e progresit në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. “Sipas KE, korrupsioni mbetet i përhapur, ndikimi politik në drejtësi është evident, ndërsa administrata publike vazhdon të jetë e politizuar dhe pa efikasitet. Në fushën e demokracisë dhe funksionimit të institucioneve, situata paraqitet po ashtu e rënduar. Raporti thekson se vendi nuk ka adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për integritetin zgjedhor, transparencën institucionale dhe funksionimin demokratik të Kuvendit”, thuhet në reagimin e kësaj partie .

BDI në fund thekson se këto gjetje duhet të shërbejnë si alarm i fortë për rikthimin e reformave thelbësore dhe rivendosjen e kursit të vendit drejt BE-së.