Lajme

Zogaj për aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit: 3 milionë euro dëm, rast korruptiv që prek edhe sigurinë kombëtare

11/13/2025 15:34
nga:Y I

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Alban Zogaj, në një konferencë për media ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës lidhur me keqpërdorimet me rezervat shtetërore, duke e cilësuar rastin si një ndër skandalet më të mëdha institucionale të viteve të fundit.

Zogaj theksoi se sipas aktakuzës, operatorët vendorë janë eliminuar nga gara, pavarësisht se kanë plotësuar të gjitha kushtet dhe kanë ofruar oferta më të favorshme ekonomike.

“Të gjitha këto theksohen në aktakuzën që është publike. Një tjeter fakt korruptiv bëhet me mallrat e pa dorëzuara pra përveç kontratës me çmime të larta e korruptive kemi edhe mallra që nuk kanë arritë asnjëherë në vendin tonë, 3 milionë euro dëm, rast korruptiv që prek edhe sigurinë kombëtare.”, ka thënë Zogaj.

Ai shtoi se fakt shqetësues është përfshirja e personave jo zyrtar.

“Fakti i radhës është përfshirja e personave privat në vendimmarrjen shtetërore që është një skandal i pa pamë institucionale.”

Sipas tij, Prokuroria ka konstatuar se personi privat Ridvan Muharremi, pa asnjë rol zyrtar në institucionet e Kosovës, ka negociuar kontratat, ka zgjedhur operatorët ekonomikë dhe ka pasur qasje në dokumente të brendshme institucionale, të cilat konsiderohen sekrete shtetërore.