Lajme

Lladrovci përshëndet dorëheqjen e Krasniqit dhe mbështet kandidaturën e Hamzës për kryetar të PDK-së

11/12/2025 15:51
nga:Mergim Rreci

Kryetari i Komunës së Drenasit, Razim Lladrovci, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke përshëndetur dorëheqjen e kryetarit në largim, Memli Krasniqi, dhe duke i dhënë përkrahje të fuqishme Bedri Hamzës si kryetar në ardhje të partisë.

Në reagimin e tij publik, Lladrovci ka theksuar se PDK-ja është “vetë liria dhe shteti i Kosovës”, duke falënderuar strukturat e partisë dhe qytetarët e Drenasit për mbështetjen e tyre të pandalshme.

“Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës! Përgëzoj strukturat e PDK-së për mbështetjen që ma kanë dhënë në çdo situatë, me besimin e plotë se do të bëhet mirë. Falënderim i veçantë shkon për qytetarët e komunës së Drenasit, të cilët besuan në zotimin tim se s’ka bir nane që më largon nga PDK-ja”, ka shkruar Lladrovci.

Ai e ka quajtur “hap të pritshëm” vendimin e Memli Krasniqit për t’u tërhequr nga drejtimi i partisë dhe ka theksuar përkushtimin e tij për të mbështetur fuqishëm Bedri Hamzën në krye të PDK-së.

“Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi, do përshëndetur, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza”, ka theksuar ai.

Në fund, Lladrovci ka vlerësuar se drejtimi i PDK-së kërkon përgjegjësi të madhe dhe lidership shtetformues.